Ne ndodhemi në Prishtinë, në Rr. Joni p.n. Kalabri, ku kemi krijuar një mjedis të sigurtë, gjithëpërfshirës dhe të përshtatur për nevojat individuale zhvillimore të fëmijëve me autizëm dhe çrregullime zhvillimore që mbështesim. Përmes programeve tona gjithëpërfshirëse, ne ofrojmë shërbime të specializuara për: vlerësim, trajtim, rehabilitim, stimulim dhe zhvillim, me synimin për të nxitur potencialin e çdo fëmije dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së tij. Puna jonë bazohet në një qasje multidisiplinare, që adreson zhvillimin fizik, njohës, social, emocional, psikologjik dhe funksional të fëmijës, duke promovuar njëkohësisht përfshirjen aktive në familje, shkollë dhe komunitet.
Ne ofrojmë shërbime cilësore, profesionale dhe të bazuara në evidenca shkencore për fëmijët me autizëm dhe çrregullime të tjera neurozhvillimore, duke mbështetur kështu zhvillimin e potencialit të tyre dhe duke fuqizuar familjet në çdo etapë të procesit të trajtimit dhe rehabilitimit.
Për të përmbushur këtë mision, ne synojmë që përmes punës e angazhimit tonë të përditshëm të mundësojmë:
• Ofrimin e ndërhyrjeve të hershme terapeutike dhe të individualizuara, të përshtatura sipas nevojave të secilit fëmijë.
• Ofrojmë terapi të specializuara, duke përfshirë ABA/VB, DIR Floortime, logopedi dhe ergoterapi, të përshtatura sipas nevojave individuale.
• Mbështesim prindërit dhe familjet përmes vizitave në shtëpi (Portigj), këshillimit profesional, trajnimeve dhe edukimit të vazhdueshëm.
• Agazhohemi që të rrisim ndërgjegjësimin e shoqërisë për autizmin, duke promovuar mirëkuptimin, pranimin dhe përfshirjen e personave me autizëm në shoqëri.
• Nxisim integrimin social, zhvillimin e pavarësisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijëve dhe personave me autizëm dhe familjeve të tyre.
Krijimi i një shoqori gjithëpërfshirëse, ku çdo fëmijë me autizëm ka qasje të barabartë në shërbime cilësore terapeutike, edukative dhe sociale, të cilat mbështesin zhvillimin, mirëqenien dhe potencialin e tyre.
Ne synojmë një shoqëri ku diversiteti neurozhvillimor pranohet, respektohet dhe vlerësohet, ku personat me autizëm dhe familjet e tyre marrin mbështetjen e nevojshme, ndihen të përfshirë dhe kanë mundësi të barabarta për një jetë të pavarur dhe dinjitoze.
Shoqata “AUTIZMI” përmes Qendrës së saj, ofron një gamë të gjerë shërbimesh të integruara dhe të specializuara, të cilat synojnë të mbështesin zhvillimin, pavarësinë dhe mirëqenien e fëmijëve me autizëm dhe çrregullime të tjera neurozhvillimore.
Vlerësime multidisiplinare
Ofrojmë vlerësime profesionale nga fusha të ndryshme, përfshirë psikologjinë, logopedinë dhe ergoterapinë, me qëllim të kuptimit më të plotë të nevojave, aftësive dhe sfidave të secilit fëmijë, si dhe hartimin e rekomandimeve të përshtatura për mbështetje të mëtejshme.
Programe terapeutike të specializuara
Ofrojmë programe të individualizuara terapeutike, duke përfshirë Analizën e Aplikuar të Sjelljes (ABA/VB), DIR Floortime, terapinë logopedike dhe ergoterapinë, të përshtatura sipas moshës, nivelit të zhvillimit dhe nevojave specifike të secilit fëmijë.
Mbështetje për familjet
Familjet janë pjesë e rëndësishme e procesit të zhvillimit. Përmes, vizitave në shtëpi (Portage), informimit, këshillimit profesional dhe orientimit, ne i mbështesim prindërit dhe kujdestarët për të kuptuar më mirë nevojat e fëmijës dhe për të fuqizuar rolin e tyre në procesin terapeutik.
Ndërgjegjësimi i shoqërisë
Angazhohemi në rritjen e ndërgjegjësimit dhe njohurive të shoqërisë për autizmin përmes aktiviteteve informuese, fushatave sensibilizuese dhe promovimit të rëndësisë së pranimit, përfshirjes dhe ndërhyrjes së hershme, të personave me autizëm.