Programi i Terapisë ABA në Shoqatën “AUTIZMI” është i organizuar në katër klasa terapeutike, të strukturuara sipas nivelit të zhvillimit, aftësive funksionale dhe nevojave individuale të përfituesve. Kjo strukturë mundëson planifikimin dhe zbatimin e ndërhyrjeve të personalizuara, duke siguruar që objektivat terapeutike të jenë në përputhje me fazën zhvillimore të secilit fëmijë, adoleshent apo i rritur.
Klasa Stina është e dedikuar për fëmijët në fazën e intervenimit të hershëm. Programi terapeutik fokusohet në zhvillimin e aftësive bazë që përbëjnë themelin e të nxënit dhe funksionimit të përditshëm, duke përfshirë komunikimin receptiv dhe ekspresiv, vëmendjen, imitimin, ndjekjen e udhëzimeve, zhvillimin e lojës funksionale, si dhe përshtatjen me rutina dhe mjedise të strukturuara. Qëllimi është ndërtimi i bazave të nevojshme për zhvillimin e mëtejshëm të fëmijës.
Klasa Rrënjët është gjithashtu pjesë e programit të intervenimit të hershëm dhe synon konsolidimin e aftësive themelore të fituara gjatë fazave fillestare të terapisë. Ndërhyrjet janë të orientuara drejt zgjerimit të komunikimit funksional, zhvillimit të ndërveprimit social, rritjes së fleksibilitetit në sjellje, përmirësimit të aftësive të lojës dhe nxitjes së pavarësisë në aktivitetet e përditshme.
Klasa Pema është e fokusuar në përgatitjen për integrim në sistemin arsimor. Objektivat terapeutike përfshijnë zhvillimin e aftësive parashkollore dhe shkollore, përmirësimin e përqendrimit dhe të vëmendjes, ndjekjen e udhëzimeve në mjedise grupore, zhvillimin e shkrim-leximit, koncepteve bazë matematikore, komunikimit funksional dhe aftësive të nevojshme për pjesëmarrje të suksesshme në procesin mësimor.
Klasa Arra është e dedikuar për adoleshentët me Çrregullim të Spektrit të Autizmit. Programi është i orientuar drejt zhvillimit të aftësive funksionale dhe përgatitjes për një jetë sa më të pavarur. Objektivat përfshijnë zhvillimin e aftësive të jetës së përditshme, përdorimin e teknologjisë dhe kompjuterit, komunikimin funksional, aftësitë sociale, organizimin e detyrave, vetëkujdesin dhe përgatitjen për pjesëmarrje aktive në komunitet, edukim të mëtejshëm sipas potencialit dhe nevojave individuale.
Përmes kësaj strukture terapeutike, Programi ABA siguron ndërhyrje të vazhdueshme, të individualizuara dhe të bazuara në evidencë, duke mbështetur zhvillimin e aftësive funksionale, rritjen e pavarësisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së çdo përfituesi.