autizmi.net

Shërbimi Psikologjik

Shërbimi psikologjik në qendrën tonë bazohet në dy qasje terapeutike të njohura ndërkombëtarisht dhe të dëshmuara shkencërisht: ABA Terapia (Applied Behavior Analysis) dhe DIR Floortime (Developmental, Individual-differences, Relationship-based).

ABA Terapia (Applied Behavior Analysis) është një metodë terapeutike e bazuar në shkencën e sjelljes, e cila ndihmon fëmijët të zhvillojnë aftësi të reja dhe të zvogëlojnë sjelljet që ndërhyjnë në mësim apo në jetën e përditshme. Përmes përforcimit pozitiv dhe ndarjes së aftësive komplekse në hapa të vegjël e të menaxhueshëm, ABA terapia ndihmon në zhvillimin e komunikimit, aftësive sociale, akademike dhe të kujdesit personal. VB (Verbal Behavior) është një degë e ABA-s që fokusohet specifikisht në zhvillimin e gjuhës funksionale, duke i mësuar fëmijës se si ta përdorë gjuhën për të komunikuar nevojat, dëshirat dhe mendimet e tij.

DIR Floortime (Developmental, Individual-differences, Relationship-based) është një qasje terapeutike që fokusohet në ndërtimin e marrëdhënieve emocionale dhe zhvillimin e fëmijës përmes lojës. Terapisti “ulet në dysheme” me fëmijën, duke ndjekur interesat e tij dhe duke i shfrytëzuar ato si pikënisje për të zhvilluar komunikimin, mendimin abstrakt dhe lidhjet emocionale. Kjo metodë respekton individualitetin e secilit fëmijë dhe punon në ritmin e tij natyror.

Në Qendrën tonë në Prishtinë funksionojnë katër klasa të specializuara për shërbimin psikologjik, të ndara sipas moshës dhe nevojave zhvillimore:

  1. Dy klasa për fëmijët e vegjël (3–6 vjeç): Këto klasa kanë si qëllim kryesor ndërhyrjen e hershme dhe zhvillimin e të kuptuarit. Periudha 3–6 vjeç është thelbësore për zhvillimin e trurit, prandaj ndërhyrja në këtë moshë sjell rezultate më të qëndrueshme dhe afatgjata. Në këto klasa punohet me zhvillimin e vëmendjes së përbashkët, imitimit, komunikimit bazik dhe aftësive paraprake për mësim.
  2. Klasa e tranzicionit (6–9 vjeç): Në këtë klasë janë fëmijët që ndodhen në procesin e shkollimit ose që po përgatiten për të filluar shkollën. Fokusi është te përgatitja akademike, përshtatja me rutinat shkollore, zhvillimi i aftësive sociale me bashkëmoshatarët dhe ndërtimi i pavarësisë në mjedisin e mësimit.
  3. Klasa e të rriturve (9–18 vjeç): Kjo klasë i shërben adoleshentëve dhe të rinjve, ku puna fokusohet te pavarësimi dhe përgatitja për tregun e punës bazuar në aftësitë individuale të secilit. Punohet me aftësi praktike të jetës së përditshme, menaxhim të kohës, aftësi profesionale dhe socializim funksional, me qëllim që secili i ri të arrijë nivelin më të lartë të mundshëm të autonomisë.